5 këshilla për lëkurë të shëndetshme

See our Latest Posts

5 këshilla për lëkurë të shëndetshme

 

Kujdesi i mirë i lëkurës – duke përfshirë mbrojtjen ndaj diellit dhe pastrimin e butë – mund ta mbajë lëkurën tuaj të shëndetshme dhe rrëzëllitëse.

Nga Stafi i Mayo Clinic

Nuk keni kohë për kujdes intensiv të lëkurës? Ju ende mund të përkëdhelni veten duke u kujdesur për gjërat bazike. Kujdesi i mirë i lëkurës dhe zgjedhja e një stili të shëndetshëm jetese mund të ndihmojnë në vonesën e plakjes natyrale dhe parandalimin e problemeve të ndryshme të lëkurës. Filloni me këto pesë këshilla të cilat marrin shumë pak kohë.

  1. Mbrohuni nga dielli

Një nga mënyrat më të rëndësishme për t’u kujdesur për lëkurën tuaj është mbrojtja nga dielli. Ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj diellit, mund të shkaktojë rrudha, njolla të errëta dhe probleme të tjera të lëkurës – si dhe të rrisë rrezikun e kancerit të lëkurës.

Për mbrojtjen më të plotë ndaj diellit:

  • Përdorni kremra mbrojtës ndaj diellit. Përdorni krem mbrojtës me spektër të gjerë me një SPF të paktën 15. Aplikoni krem mbrojtës në sasi të bollshme dhe ri-aplikoni çdo dy orë – ose më shpesh nëse jeni duke notuar ose keni djersirë.

Qëndroni në hije. Shmangni ekspozimin nga ora 10 deri në orën 16:00, kur rrezet e diellit janë më të forta.

  • Mbani veshje mbrojtëse. Mbuloni plotësisht lëkurën tuaj me këmisha me mëngë të gjata, pantallona të gjata dhe kapele me strehë të gjerë. Gjithashtu mund të merrni në konsideratë edhe përdorimin e veshjeve të projektuara posaçërisht për të penguar rrezet ultravjollcë.
  1. Mos pini duhan

Duhanpirja e bën lëkurën tuaj të duket më të vjetër dhe kontribuon në formimin e rrudhave. Ky proces ngushton enët e vogla të gjakut në shtresat më të jashtme të lëkurës, gjë e cila zvogëlon fluksin e gjakut  dhe e bën lëkurën më të zbehtë. Po ashtu, duhanpirja largon nga qelizat e lëkurës oksigjenin dhe lëndët ushqyese të cilat janë aq të rëndësishme për shëndetin e mirë të lëkurës.

Duhanpirja gjithashtu dëmton kolagjenin dhe elastinën – fibrat që i japin tonus dhe elasticitet lëkurës tuaj. Veç kësaj, mimikat e përsëritura të fytyrës që bëni kur pini  duhan mund të kontribuojnë në formimin e rrudhave.

Përveç kësaj, pirja e duhanit rrit rrezikun e kancerit të qelizave skuamoze të lëkurës. Nëse pini duhan, mënyra më e mirë për të mbrojtur lëkurën tuaj është të lini duhanin. Pyesni mjekun tuaj për këshilla ose trajtime për t’ju ndihmuar të lini duhanin.

3.     Trajtoni lëkurën tuaj me delikatesë

Për ta mbajtur lëkurën të butë:

  • Kufizoni kohën e dushit. Uji i nxehtë dhe dushet e gjata largojnë yndyrën nga lëkura juaj. Kufizoni kohën e qëndrimit në dush dhe përdorni ujë të ngrohtë – në vend të ujit të nxehtë.
  • Shmangni sapunët e fortë. Sapunët e fortë dhe detergjentet mund të zhveshin yndyrën nga lëkura juaj. Në vend të tyre, zgjidhni pastrues të butë.
  • Pastrojeni lëkurën nga qimet në mënyrë të kujdesshme. Për të mbrojtur dhe lubrifikuar lëkurën, aplikoni krem ​​rroje, locion ose xhel para rrojes dhe përdorni një brisk të pastër duke pastruar lëkurën nga qimet në drejtim të rritjes së tyre dhe jo anasjelltas.
  • Thajeni lëkurën me peshqir. Pas larjes, butësisht thani ose fshini lëkurën tuaj me një peshqir të pastër në mënyrë që të mbetet ende e hidratuar.
  • Hidratoni lëkurën e thatë. Nëse lëkura juaj është e thatë, përdorni një hidratues që i përshtatet llojit të lëkurës tuaj. Për përdorim të përditshëm, këshillohet përdorimi i një hidratuesi që përmban dhe SPF (filtër mbrojtës).
  1. Mbani një regjim të shëndetshëm ushqimor.

Hani shumë fruta, perime, drithëra të papëpunuara dhe proteina. Lidhja e regjimit ushqimor me shfaqjen e akneve nuk është plotësisht e qartë, por disa studime tregojnë se një dietë e pasur me vaj peshku ose suplemente ushqyese të vajit të peshkut dhe e ulët në yndyrna jo të shëndetshme dhe karbohidrate të përpunuara ose të rafinuara mund ta bëjnë lëkurën të duket e re. Pirja e mjaftueshme e ujit ndihmon për të mbajtur lëkurën tuaj të hidratuar.

  1. Menaxhoni stresin

Stresi i pakontrolluar mund ta bëjë lëkurën tuaj më të ndjeshme dhe të shkaktojë daljen e puçrrave në fytyrë dhe probleme të tjera të lëkurës. Për të patur lëkurë të shëndetshme – dhe një gjendje mendore të shëndoshë – ndërmerrni hapa për të menaxhuar stresin. Flini gjumë mjaftueshëm, vendosni kufizime të arsyeshme, shkurtojeni listën e gjërave që keni për të bërë dhe gjeni kohë për të bërë gjërat që ju pëlqejnë. Rezultatet mund të jenë më mbresëlënëse nga sa prisni.

Doni më shumë detaje? Na kontaktoni

Ju mund të na kontaktoni dhe ne do të jemi të lumtur t’ju përgjigjemi nëpërmjet telefonit, email dhe kanaleve tona të rrjeteve sociale.