Si të kemi lëkurë të shëndetshme?


Një nga mënyrat më të rëndësishme për t’u kujdesur për lëkurën është mbrojtja nga dielli, pasi ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj diellit, mund të shkaktojë rrudha dhe njolla të errëta. Ndaj dermatologët këshillojnë që të përdoret nje krem mbrojtës me SPf  si në dimër dhe në verë.

Por një lëkurë e shëndetshme është e lidhur ngushtë edhe me sjelljet e shëdetshme dhe ushqimin që konsumojmë.

1-Duhanpirja e bën lëkurën të duket më e vjetër dhe kontribuon në formimin e rrudhave. Konsumi i duhanit ngushton enët e vogla të gjakut në shtresat e jashtme të lëkurës, gjë e cila zvogëlon fluksin e gjakut dhe e bën lëkurën më të zbehtë. Po ashtu, duhanpirja largon nga qelizat e lëkurës oksigjenin dhe lëndët ushqyese të cilat janë  të rëndësishme për shëndetin e mirë të lëkurës. Duhanpirja dëmton kolagjenin dhe elastinën , fibrat që i japin tonus dhe elasticitet lëkurës. Por edhe mimikat e përsëritura të fytyrës, që bëhen kur pihet duhan mund të kontribuojnë në formimin e rrudhave.

2-Për ta mbajtur lëkurën të butë, nevojitet trajtimi i kujdesshëm. Duhet kufizuar koha e qëndrimit në dush, pasi uji i nxehtë largon yndyrën nga lëkura. Ndaj këshillohet ujë i vakët në pastrimin e saj dhe jo sapun i fortë. Më pas lëkura duhet tharë me një peshqir të butë, për të vijuar me një krem hidratues  që përmban SPF.

3-Mbani një regjim të shëndetshëm ushqimor.

Regjimi ushqimor është i lidhur  me shfaqjen e akneve. Studimet tregojnë se një dietë e pasur me vaj peshku ose suplemente ushqyese të vajit të peshkut dhe e ulët në yndyrna jo të shëndetshme dhe karbohidrate të përpunuara ose të rafinuara, mund ta bëjnë lëkurën të duket e re. Konsumi i ujit në sasi të bollshme ndihmon për të mbajtur lëkurën  të hidratuar. Por, konsumi i sa më shumë frutave, perimeve dhe drithërave të papërpunuara ndihmojnë për një lëkurë të pastër dhe të shëndetshme.

4-Menaxhoni stresin.

Stresi i pakontrolluar mund ta bëjë lëkurën më të ndjeshme dhe të shkaktojë daljen e puçrrave në fytyrë dhe probleme të tjera të lëkurës. Për të patur lëkurë të shëndetshme dhe një gjendje mendore të shëndoshë duhet menaxhuar stresi. Gjumë i mjaftueshëm, disa kufizime të arsyeshme, shkurtimi i listës së gjërave që janë për t’u bërë dhe të bësh  gjërat që të pëlqejnë japin rezultate të mira për të larguar stresin.