Shëndeti oral tek fëmijët


Kujdesi për dhëmbët e fëmijëve duhet të nisë që në momentine daljes së dhëmbit të parë. Ndërkohë që vizita e parë tek dentisti duhet të bëhet në moshën 2 deri 3 vjec .

Kujdesi oral që në moshë të vogël është i lidhur ngushtë me shëndetin oral në faza të mëvonshme të jetës.

Fëmijët deri në moshën 6-vjeçare kanë në gojën e tyre vetëm dhëmbët e qumështit. Nga mosha 6-vjeçare fillon dhe dalja e dhëmbit të parë, pra dhëmbit nr.6.

Pas kësaj periudhe dhëmbët e qumështit fillojnë t’i lënë vendin dhëmbëve të përhershëm. Për shkak të moshës së vogël, përbërjes delikate dhe strukturës së hollë të dhëmbëve në këtë moshë humbja dhe prishja e dhëmbëve për shkak të kariesit është shumë e dukshme.

Po cfarë këshillohet ?
1. Trajtimi i problemeve ku përfshihen: mbushjet, trajtimi i kanaleve ose ekstracionet (heqjet e dhëmbëve).
2. Stomatologjia preventive, e cila ka si qëllim mbrojtjen e dhëmbëve nga prishja.

Cila është rëndësia e dhëmbëve të qumështit?

  1. Aspekti estetik
    Humbja e dhëmbëve të qumështit në moshë të hershme (3-4 vjeçare) mund të shkaktojë probleme estetike madje edhe psikologjike te fëmijët.
  2. Aspekti fonetik
    Dhëmbët e parë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në funksionin e të folurit te fëmijët. Humbja e dhëmbëve të pare shkakton problem në shqiptimin e shkronjave, f, v, z, t, d.
  3. Rëndësia në kafshim
    Prishjet masive të dhëmbëve të qumështit dhe humbjet e hershme të tyre bën që këto zona të mos përdoren gjatë procesit të kafshimit duke shkaktuar ulje të funksionit të muskujve të kafshimit. Kjo mund të sjellë edhe problem të mëtejshme në proçesin e tretjes.
  4. Rëndësia në udhëheqjen e dhëmbëve të përhershëm
    Dhëmbët e qumështit kanë funksion udhëheqës për dhëmbët e përhershëm. Humbja e hershme e dhëmbëve të qumështit bën që dhëmbët e përhershëm të mos jenë në pozicionin e tyre të duhur duke shkaktuar probleme të shumta ortodontike.

Ndaj kërkohet higjienë orale sa më e mirë  dhe kujdes i posaçëm tek fëmijët:

  • Larja e dhëmbëve
    • Ndjekja e zhvillimit të harkut dentar
    • Edukimi mbi përdorimin e fillit dentar
    • Dieta ushqimore
    • Përdorimi lokal i fluorit
    • Edukimi i prindërve mbi metodat e duhura të higjienës orale
    • Përdorimi i silantevë (silantët janë material me bazë rezine me ngjyrë të çelët që vendosen në sipërfaqen përtypëse të dhëmbëve, kryesisht paradhëmballëve dhe dhëmballëve) për të penguar prishjen e tyre. Silantët krijojnë një mbrojtje të smaltit në këto zona, duke penguar depërtimin e baktereve.