Pagjumësia nuk është sëmundje, por lidhet me disa prej tyre. Gjumi është pjesë e proçesit biologjik të njeriut, pa të cilin nuk mund të jetojë shumë gjatë. Njeriu duhet të flejë 8 orë gjatë 24 orëve.
Shpesh njerëzit hasin në vështirësi për të fjetur. Mund të ndodhë që nuk i zë gjumi ose zgjohen disa herë gjatë natës, duke ndikuar negativisht në cilësinë e tij.
Emocionet, stresi, ankthi, depresioni apo lodhja e tepërt ndikojnë direkt në pagjumësi. Por, nga ana tjetër janë disa sëmundje të cilat shkaktojnë pagjumësi si: problemet me veshkat, astma, hipertiroidizmi, aciditeti në stomak, parkinsoni si dhe dhimbjet kronike .
Ja si të luftoni pagjumësinë pa medikamente
Caktoni një orë fikse, kur shkoni për të fjetur.
Krijoni një ambient të përshtatshëm: krevat i rehatshëm, dritë jo e fortë, pa zhurmë dhe jo shumë ngrohtë.
Largoni nga dora telefonin, ipadin, laptopin dhe mos shikoni Tv para gjumit. Ekranet elektronike lëshojnë një dritë blu, që prish prodhimin e melatoninës nga trupi juaj dhe për pasojë largon gjumin.
Shmangni konsumin e shumë lëngjeve para gjumit.
Jo alkol dhe as kafeinë.
Mos konsumoni ushqim të rëndë në darkë.