Sëmundjet tumorale janë kthyer në epidemi!


Çdo vit 5500 raste të reja.

Në ditën ndërkombëtare të Luftës Kundër Kancerit raportohen dhe shifrat në rritje të të prekurve nga sëmundjet tumoriale.

Sipas statistikave të Institutit të Shëndetit Publik, çdo vit diagnostikohen 5 500 raste të reja me kancer.

Kanceri më i përhapur tek qytetarët në vendin tonë është ai i mushkërive. Numërohen 777 raste të reja me kancer të mushkërive çdo vit. Duke iu referuar të dhënave zyrtare rezulton se nga kanceri i mushkërive më të prekur janë meshkujt.

Madje meshkujt preken katër herë më shumë se sa femrat.

Pas kancerit të mushkërive më i shpeshtë është ai i gjirit. Kanceri i gjirit prek çdo vit rreth 700 gra. Kanceri i gjirit prek edhe meshkujt, por risku tek ta është më i ulët.

Në Shqipëri dhe jo vetëm, sëmundjet tumorale janë një këmbanë alarmi, pasi janë shkaku i dytë kryesor i vdekshmërisë. Por, nëse diagnostikohen në kohë disa prej tyre nuk kanë pasoja fatale.

1/3 e sëmundjeve tumorale mund të parandalohen thuhet në studime shkencore.

Nga të dhënat më të fundit, që raportohen nga Ishp, vetëm gjatë vitit 2020 kanë humbur jetën për shkak të kancerit 3800 qytetarë. Kjo shifër ka ardhur në rritje nga viti në vit.

Viti 2016 —-3571 vdekje

Viti 2017 —-3645 vdekje

Viti 2018 —-3695 vdekje

Viti 2019 —-3583 vdekje

Viti 2020 —-3800 vdekje

Numrin më të lartë të humbjes së jetëve e ka shkaktuar kanceri i mushkërisë, i ndjekur nga pas nga kanceri i stomakut dhe ai i mëlçisë.